Home   ISAbout Us ISUNV Activities and Trainings I  UNV in the One UN initiative   ISInternational Volunteer Day  ISJoin Us   I Contact Us

Programi i Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara (UNV) administrohet nga
Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP)

Programi i Vullnetarëve të Kombeve të
Bashkuara në Shqipëri

Vullnetarizmi i sjell përfitim si mbarë shoqërisë ashtu edhe vetë individit. Ai përbën një kontribut të rëndësishëm ekonomik dhe social. Vullnetarizmi kontribuon në forcimin e kohezionit social duke rritur besimin dhe ndërveprimin midis qytetarëve. Vullnetarët e Kombeve të Bashkuara mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm njerëzor në të gjithë botën përmes promovimit të vullnetarizmit dhe mobilizimit të vullnetarëve. Vullnetarizmi i shërben çështjeve si paqja dhe zhvillimi përmes rritjes së mundësive për pjesëmarrje nga ana e të gjithëve. Vullnetarizmi është universal, përfshirës dhe përqafon veprimin vullnetar në gjithë diversitetin e tij. Ai vlerëson vullnetin e lirë, përkushtimin, angazhimin dhe solidaritetin, që janë edhe bazat e vullnetarizmit.

Fushata të ndërgjegjësimit publik

5 Dhjetori - Dita Ndërkombëtare e Vullnetarëve. Fushata e ndërgjegjësimit publik mbi vullnetarizmin organizohet çdo fund viti nga UNV. Aktivitetet përfshijnë mobilizimin e vullnetarëve në aktivitete të ndryshme, seminare, trainime dhe publikime. Çdo vit fushatat kanë një temë të caktuar.
- Fushata e vitit 2010 u fokusua në ndarjen e eksperiencave dhe praktikave të sukseshme në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZhM). Një Konferencë dy-ditore u organizua për këtë qëllim duke mbledhur vullnetarë dhe anëtarë të organizatave të ndryshme rinore dhe jo vetëm në një sërë aktivitetesh, si: panair i OJF-ve, prezantime praktikash të sukseshme, konkurs pikture, konkurs esesh mbi rolin e vullnetarizmit në zhvillim, seminar mbi uljen e varfërisë (OZhM 1), etj. Femijet fitues te konkursit te piktures jane: Anxhelo Hysaj,  Shkendie Lloci, Arsid Buzalli, Xhoana Ymeri, Emra Mecani, Petro Laze, Ronaldo Mecani, Samuel Xhaibra, Endri Zeqiri, Xheni Elezi, Rexhina Xhija, Xhoi Rahmani, Amanda Hasaj, dhe Reneo Hadja.Te rinjte fitues te Konkurist te Eseve me te mira ne disa prej shkollave te mesme te Tiranes, me teme “Vullnetarizmi dhe roli i tij ne zhvillim”: Sara Furxhi, Krist Dushi, Sidrit Kraja, Xhesika Fazlliaj, Erdal Domi, Dafne Bajraktari, Adi Grishaj. Një sërë aktivitetesh paralele u organizuan në zona të ndryshme të vendit, si trainim mbi vullnetarizmin dhe mbrojtjen e mjedisit (OZhM 7) në Korcë, trainime mbi mbrojtjen nga HiV/Aids (OZhM 6), Seminare mbi edukimin parësor (OZhM 2), debate dhe seminare mbi barazine gjinore (OZhM 3) në Elbasan, Fier, Tiranë etj.
- Fushata e vitit 2009 kishte si temë kryesore Mbrojtjen e Mjedisit me moton “Vullnetarizmi për Planetin” dhe vullnetarë nga rajone të ndryshme të vendit u angazhuan në pastrimin dhe gjelbërimin e mjediseve të ndryshme publike, lyerjen e fasadave, rregullimin e parqeve, shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe çantave të fabrikuara për të sensibilizuar publikun për eleminimin e përdorimit të qeseve plastike. Debate publike u organizuan gjithashtu në shkolla të ndryshme të vendit.

5 Qershori - Dita Botërore e Mjedisit.
Fushata për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës mbledh vullnetarë të ndryshëm në aktivitete në terren. Mbjellja e pemëve, shpërndarja e fidanëve të luleve, llampave fluoreshente kompakte, dhe fletëpalosjeve informative kanë qenë disa nga aktivitetet e organizuara. Të rinjtë, studentët dhe të gjithë ata që duan të marrin pjesë si vullnetarë gjatë kësaj dite mund të kontaktojnë UNV Shqipëri në: 04 2276622/3

 


Projekte të ndryshme

Projekti “Fuqizimi i të Rinjve nëpërmjet Vullnetarizmit”. Në kuadër të këtij projekti 10 grupe të rinjësh të zonave të Shkodrës, Lezhës dhe Kurbinit u trainuan mbi vullnetarizmin dhe dizenjimin e projekteve komunitare. Më pas ato u mbështetën me grante të vogla për realizimin e projekteve në praktikë. Projekti është një bashkëpunim midis World Vision, Korpusit Amerikan të Paqes, CAAP dhe Lëvizjes “Ndryshimi fillon nga ty”.

Programi “Mbështetje për Minoritetet në Nevojë” asiston drejtpërdrejtë komunitetet minoritare më të varfra dhe më të veçuara. Ai po ndërhyn në nivel lokal duke mbështetur regjistrimin civil të Romëve dhe Egjiptianëve, duke mobilizuar grupet me bazë komunitare; duke zhvilluar infrastukturën vendore, duke organizuar trajnime profesionale dhe duke krijuar një rrjet ndërmjetësish në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së fëmijëve.

Programi “Mbështetje për Sektorin Publik/Privat” ka zbatuar 148 misione ekspertësh vullnetar të cilët kanë ndihmuar biznesin privat dhe institucionet publike në Shqipëri. Misionet financohen kryesisht nga Qeveria Italiane. Ekspertiza e ofruar ka qenë kryesisht në zhvillimin e planeve të biznesit dhe studimeve të fizibilitetit, konsulencë dhe shkëmbim eksperience veçanërisht në industrinë  e agro-biznesit dhe sektorin e turizmit.

 

TRAINIME

“Rinia për Veprim” – Ngritje kapaciteti për vullnetarët dhe punonjësit rinor në Shqipëri. 20- 23 Tetor 2010. UNV Shqipëri në bashkëpunim me organizatën Tamam.

  • “Të Drejtat e Njeriut në Praktikë” një trainim i mbajtur në Tiranë më10-12 Nëntor 2010 në bashkëpunim me JEF Shqipëri.
  • “Fushata vullnetare për mbrojtjen e mjedisit” organizuar në Korçë me 8 Dhjetor 2010 në bashkëpunim me vullnetarët e Korpusit të Paqes dhe degën e World Vision Korçë.
  • Seminar “Promovimi i Vullnetarizmit nëpërmjet praktikave të mira” organizuar në bashkëpunim me Sanus Shqipëri dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve më 20 Maj 2010.
  • Seanca trainimi mbi njohuritë për jetën “Life Skills” në komunikim, vendim-marrje, parandalimi i drogave, etj në Marqinet në bashkëpunim me Tamam Shqipëri.

 

Publikime

Korrik 2010: UNV prezanton nje Manual Trainimi
“Vullnetarizmi për Zhvillim. Shkrimi dhe Zbatimi i Projekteve me Bazë Komunitare”.
Qëllimi i këtij Manuali është të zhvillojë kapacitetin e trainuesve dhe punonjësve rinor mbi organizimin e aktiviteteve komunitare. Ai synon të pajis grupe rinore me njohuritë, aftësitë dhe praktikat e nevojshme për të qenë anëtar aktiv në komunitetet e tyre. Kjo do të arrihet nëpërmjet praktikës “Të mësojmë duke marrë pjesë” si dhe metodës së Zhvillimit të Komunitetit të përdorur në këtë manual. Të rinjtë do të mësojnë se si vet-organizimi i tyre dhe pjesëmarrja në adresimin e problemeve, mund t’i ndihmojë të sjellin ndryshim. Në këtë manual do të gjeni informacion të gjerë mbi temën, materiale ndihmëse didaktike, instrumente dhe këshilla për përfshirjen e sukseshme të të rinjve në aktivitete të ndryshme. Ky manual i sjell trainuesve metoda konkrete për të nxitur dhe fuqizuar të rinjtë në marrjen e nismave vullnetare dhe njëkohësisht për t’i ndërgjegjësuar ata mbi të mirat e vullnetarizmit. Manuali përdor teknikat e të mësuarit pjesëmarrës, bazuar mbi analizën e një sërë studimesh, strategjish ekzistuese, materialeve teorike dhe eksperiencës praktike në zbatimin e projekteve për zhvillim. Ai siguron që trainuesit ose punonjësit e komunitetit të jenë të përgatitur dhe të kenë besim në aftësitë e tyre për të trainuar të rinjtë dhe për të shërbyer si burim njohurish në këtë fushë. Botimi është një bashkëpunim i UNV Shqipëri dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Tabela e permbajtjes, kliko këtu.

Maj 2009:    Raport studimi “Perceptime dhe realiteti i vullnetarizmit në sektorin rinor në Shqipëri”. Raporti është një studim i cili prezanton fakte dhe të dhëna të mbledhura nga një numër prej 800 të rinjësh, organizatash dhe institucionesh në lidhje me përfshirjen vullnetare dhe perceptimet e të rinjve në lidhje me angazhime të tilla. Raporti vëzhgon dhe prezanton situatën në lidhje me benefitet sociale, ekonomike dhe individuale të vullnetarizmit, si dhe në të njëjtën kohë nxjerr sfidat dhe vështirësitë të cilat  pengojnë përfshirjen vullnetare të të rinjve apo organizimin dhe zbatimin e veprimtarive vullnetare nga organizatat e ndryshme. Ai prezanton gjithashtu edhe një sërë sugjerimesh dhe rekomandimesh mbi ngritjen e një mjedisi dhe infrastrukture ligjore e sociale e cila do të nxiste zhvillimin e vullnetarizmit në Shqipëri. Për të marrë raportin klikoni këtu.

 

Histori dhe eksperienca vullnetare
Artikujt në vijim, janë botuar në Manualin e Trainimit “Vullnetarizmi për Zhvillim. Shkrimi dhe Zbatimi i Projekteve me Bazë Komunitare” i UNV Shqipëri, 2010.
Falenderojmë të rinjtë për historitë dhe eksperiencat që ndanë me ne.

Marina Vuji, Diplomë Master në Studime Europiane, Vullnetare Shqiptare e UNV në Sudan, 2009 – 2010: Si Oficere Informacioni dhe Raportimi me seksionin e Rikthimit, Ndihmës dhe Ri-integrimit pranë Misionit të Kombeve të Bashkuara në Sudan (UNMIS) kam pasur mundësinë të punojë me autoritete lokale dhe komunitete të ndryshme në këtë vend. Kjo eksperience ka qenë e mrekullueshme dhe interesante për mua dhe e rekomandojë për të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë diçka me vlerë në jetën e tyre. Një angazhim të tillë do t’ia sugjeroja sidomos të rinjve Shqiptar. Duke e hapur veten ndaj eksperiencave dhe kulturave të tjera të jepet mundësia të bëhesh një person me mendje më të gjerë dhe si rrjedhojë një person dhe qytetar më i mirë.

Blerina Xhangolli, Diplomë Master në Mendimin Social dhe Politik, Vullnetare e UNV në Shqipëri, 2008-2009: Jam angazhuar për një vit si vullnetare e UNV në Shqipëri.   Detyra ime ishte specialiste e promovimit të teknologjive të reja në Programin “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit për Zhvillim” të UNDP. Me anë të punës sime synova të nxisja tek të rinjtë shqiptar, nëpërmjet rrjeteve akademike në të cilat punoja, format e vullnetarizmit, sidomos vullnetarizmin nëpërmjet internetit i cili është shumë i përdorur në të gjithë botën. Angazhimi si vullnetar online (në internet) të jep mundësinë të përmirësosh aftësitë e tua në një fushë të caktuar, të bashkëpunosh me të rinj të tjerë dhe të shkëmbesh informacion. Efekti indirekt i një angazhimi të tillë është ndikimi në krijimin e një bote më të hapur, shumëdimensionale në të cilën diversiteti dhe uniteti vlerësohen si elemente pozitive në një shoqëri.

Gavin David White, Diplomë Master në Zhvillim Social, Vullnetar Anglez i UNV në Shqipëri, 2008-2011: Në vitin 2008 u angazhova si vullnetar pranë UNDP në Shqipëri. Në fillim u përballa me shumë sfida pasi kisha ardhur në një vend të ri, gjuhën nuk e njihja aspak, isha në një organizatë të re dhe në një realitet të ri zhvillimi. Të gjitha këto në fakt tani pas më shumë se dy vjetësh më kanë rezultuar si pasuri vlerash dhe njohurish jashtëzakonisht pozitive. Të jesh vullnetar të jepet mundësia të kontribuosh në përmirësimin e jetës së njerëzve të tjerë dhe në të njëjtën kohë e në mënyrë të pashmangshme arrin të pasurosh edhe jetën tënde. Kjo është një e vërtete e cila më ka frymëzuar gjatë shërbimit tim si vullnetar i UNV në Shqipëri.

Genta Konçi, Diplomë Universitare në Filozofi dhe Sociologji, Vullnetare Shqiptare e UNV në Indonezi, 2007- 2008: U rregjistrova në Programin e Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara (UNV) në Janar të vitit 2008 dhe pas disa muajësh mora një telefonatë për një mundësi vullnetare në Indonezi. Pasi dhashë një intervistë, u përzgjodha si Oficere Monitorimi dhe Raportimi në Banda Aceh, Indonezi. Në fillim pata pak frikë të largohesha për një vit në këtë rajon të shkatërruar nga konflikte 30-vjeçare dhe Tsunami i 2005-ës, por pastaj vendosa ta pranoj detyrën duke qenë se pozicioni ku do të angazhohesha si vullnetare kërkonte ekspertizë në monitorimin e efektivitetit të asistencës teknike të dhënë ndaj autoriteteve lokale vendase. Isha shumë e interesuar dhe e gatshme të punoja në këtë fushë dhe detyra e re që mora ishte jashtëzakonisht e vlefshme dhe më shumë interesante nga sa e prisja. Detyra ime si vullnetare në kuadër të Programit të UNV më dha mundësi të fitoja eksperiencë ndërkombëtare dhe njohuri të reja. Pasi përfundova shërbimin si vullnetare në Indonezi, u punësova pranë Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Jakarta, Malajzi. Ishte eksperienca si vullnetare e cila më ktheu në një kontributore efiçente në sektorin e zhvillimit social. Kjo eksperiencë më ndihmoi që me anë të punës sime, të sillja ndryshime pozitive në jetën e shumë njerëzve në nevojë, në një vend tjetër, larg Shqipërisë. (Në foto: Një familje që u ndihmua të sistemohej në një banesë të re.)

Blerta Kambo, Studente per Inxhinieri Mjedisi dhe specialiste e Artit pamor. Fotografe shumë e talentuar, specialiste në artin vizual dhe aktiviste në organizata rinore, Blerta së bashku me një grup të rinjesh janë të shqetësuar për situatën mjedisore në Shqipëri. Me qëllim ndërgjegjësimin e publikut për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës, ky grup të rinjësh ka hapur disa ekspozita fotografike dhe pikture me këtë temë. Çdo të diel ky grup takohet në orën 10:00 tek zona e Bllokut në Tiranë, një zonë tepër e  frekuentuar kjo nga të rinjtë të cilët kalojnë kohën e lirë në lokalet luksoze të saj. Blerta së bashku me të rinjtë e tjerë të grupit takohen gjithashtu në këtë zonë, por jo për të pirë kafe siç bëjnë shumica e të rinjve të tjerë. Grupi mblidhet për të pastruar pemët e rrugës nga posterat dhe fletat e ngjitura me gozhdë ose materiale të tjera të dëmshme. Blerta thotë se këto aktivitete janë kontribute simbolike, por nëse secili nga ne do të jepte qoftë edhe një kontribut të vogël në përmirësimin e situatës, ndryshimi do të ishte i madh.

 

Si të bëhem Vullnetar?

Vullnetarët Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara janë persona të huaj të cilët vijnë në Shqipëri, psh nga Italia, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Irlanda e vende të tjera; ose qytetar shqiptar të cilët shkojnë në vende në zhvillim për të ofruar kontributin e tyre vullnetar. Në vitet e fundit vullnetarë nga Shqipëria janë dërguar me shërbim në vende të huaja si Indonezi dhe Sudan. Për më shumë vizitoni: www.unv.org/how-to-volunteer

Vullnetarët Kombëtar në Shqipëri punojnë me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Në lidhje me mundësitë për t’u anagazhuar si Vullnetarë Kombëtarë në Shqipëri, mund të vizitoni faqen tonë të internetit: http://unv.undp.org.al

Vullnetarizmi online
Programi i Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara promovon vullnetarizmin online si një mënyrë për t’ju ardhur në ndihmë organizatave dhe nismave që i shërbejnë zhvillimit social të vendeve të ndryshme. Me mijëra vullnetarë janë gati të ofrojnë kontributin e tyre në ndihmë të organizatave dhe institucioneve në sfidat e zhvillimit: profiesionistë, studentë, të rinj, pensionist dhe shumë të tjerë në të gjithë globin. Për më shumë informacion, vizitoni: www.onlinevolunteering.org

 

UNV/UNDP Shqipëri
Rr. Papa Gjon Pali II,
Qendra e Biznesit ABA, Kati 6
Tiranë, Shqipëri
Tel: 00355 4 2276622/3
Fax: 00355 4 2400725/6
E-mail: unv.albania@undp.org
http://unv.undp.org.al

Copyright © UNV Albania 2011 Copyright & Terms of Use